Aplikoni si duhet! Këshilla 5: Dalloheni nga masa gri!
Shfaquni hapur dhe tregoni çfarë keni brenda vetes. Kreativiteti dhe një vetëbesim i shëndetshëm janë plotësisht të lejuara. Prandaj bëni të qartë si dhe ku dalloheni nga kandidatët e tjerë. Në fund të fundit, punëdhënësi juaj i ardhshëm nuk dëshiron të gjejë një punonjës çfarëdo, por më të mirin – pra ju!
«Pse duhet t’ju punësojmë pikërisht ju?»
Keni aplikuar për një vend pune të shpallur. Por nuk jeni të vetëm dhe bashkëbiseduesi juaj me gjasë do të zhvillojë një sërë bisedash. Prandaj për një punëdhënës është e rëndësishme të njohë përparësitë dhe dallimet e secilit kandidat. Dhe këto përparësi – përparësitë tuaja dhe aftësitë tuaja të veçanta – duhet t’ia komunikoni në mënyrë aktive shefit tuaj.
Një përgatitje e mirë është e rëndësishme.
Prandaj përqendrohuni te pikat tuaja të forta. Cilat aftësi ju dallojnë dhe me cilat njohuri e përvoja mund të kontribuoni në ndërmarrjen e re? Lexojeni me kujdes shpalljen paraprakisht: çfarë aftësish dhe përvojash kërkon ndërmarrja? Cilat prej tyre i plotësoni dhe cilat duhet t’i mësoni ende? Kini të qartë cilat janë argumentet tuaja më të mira dhe përdorini ato me qëllim në bisedë. Pranoni edhe qetësisht atë që duhet ta përvetësoni ende, por që edhe dëshironi ta përvetësoni.
Shembull: «Për këtë vend pune ju nevojitet një person me përvojë shumëvjeçare në kujdesin afatgjatë dhe me përvojë drejtuese. Përveç kësaj, te punëdhënësi im aktual kam pasur mundësinë të punoj në një repart për demencën dhe i njoh kërkesat ndaj një reparti të tillë dhe ndaj punonjësve të tij. Pra jam i vetëdijshëm se për çfarë duhet të kem kujdes në ngritjen e repartit të ri te ju. Edhe pse kam punuar me një dokumentacion tjetër kujdesi, do të doja ta mësoja këtë dhe do të isha gati të ndiqja trajnimet përkatëse. »
Në serinë tonë ju paraqesim javë pas jave këshilla dhe truke të dobishme për një paraqitje profesionale në procesin e aplikimit. Përfitoni nga përvoja jonë në ndërmjetësimin e personelit profesional të kujdesit.
> artikuj të tjerë për këtë temë