Katër vaksina të ndryshme kundër koronës
Prej disa ditësh rezultatet e testimeve të vaksinës së AstraZeneca janë në dispozicion të autoriteteve të miratimit në vende të ndryshme. Ndryshe nga vaksinat e Biontech/Pfizer dhe Moderna, ky preparat nuk bën pjesë te vaksinat mRNA, por te të ashtuquajturat vaksina me vektor. Cilat vaksina ekzistojnë? Dhe si dallojnë vaksinat më të rëndësishme?
Në zhvillimin klinik përdoren variante të ndryshme vaksinash kundër koronës. Katër grupet më të shpeshta të vaksinave janë:
- Vaksinat e gjalla
- Vaksinat e inaktivizuara
- Vaksinat me vektor
- Vaksinat ARN
Të gjitha vaksinat kanë të përbashkët: ato e njohin sistemin imunitar të njeriut me pjesë vendimtare të shkaktarit të sëmundjes, në mënyrë që ai të zhvillojë një mbrojtje të synuar. Kur ndeshet vërtet me shkaktarin, ky zakonisht luftohet në mënyrë aq efektive, sa sëmundja te të vaksinuarit as nuk shfaqet fare ose të paktën kalon në formë më të lehtë.
Vaksinat e gjalla
Vaksinat e gjalla janë me gjasë më të njohurat kur bëhet fjalë për vaksinime: ato përmbajnë shkaktarin përkatës në një formë të dobësuar. Këta janë në gjendje të shumohen në trup, por nuk shkaktojnë më sëmundje. Vaksinat kundër
- fruthit,
- shytave dhe
- rubeolës
janë, për shembull, vaksina të gjalla. Shumica e studimeve për vaksina të gjalla kundër Covid-19 ndodhen aktualisht ende në fazën paraklinike.
Vaksinat e inaktivizuara
Vaksinat e inaktivizuara nuk përmbajnë shkaktarë që mund të shumohen, por viruse të vrarë ose fragmente të tyre. Këto vaksina përmbajnë zakonisht përforcues efekti, që sistemi imunitar të reagojë ndaj vaksinës. Vaksinat më të njohura të inaktivizuara janë ato kundër
- meningokokut,
- hepatitit dhe
- kollës së mirë.
Kompania amerikane Novavax po teston një vaksinë të inaktivizuar kundër Sars-CoV-2 në një studim të fazës III, kandidatë të tjerë janë në zhvillim.
Vaksinat me vektor
Vaksinat me vektor bazohen në viruse që janë të padëmshëm për njerëzit. Në këto viruse vaksinash futen pjesë të materialit gjenetik të shkaktarit kundër të cilit duam të vaksinojmë.
- Vaksina kundër Ebolës
bën pjesë në këtë grup. Qendra Gjermane për Kërkime të Infeksioneve (DZIF) po zhvillon me kompaninë IDT Biologika një vaksinë me vektor kundër Sars-CoV-2. Virusi i përdorur për vaksinën u zhvillua dhe u përdor tashmë dekada më parë si
- vaksinë kundër lisë.
AstraZeneca me vaksinën e saj me vektor është para miratimit.
Vaksinat ARN
Vaksinat ARN nuk përmbajnë shkaktarë, por vetëm të ashtuquajturin ARN lajmëtar (mRNA). Kjo molekulë bën që në qelizat e trupit vetë qelizat të prodhojnë një proteinë virale, në mënyrë që sistemi imunitar i njeriut të prodhojë antitrupa kundër saj. Vaksinat e Biontech dhe Pfizer, si dhe ajo e Moderna, janë vaksina të tilla.
Parimi i mRNA (acidi ribonukleik lajmëtar / ARN lajmëtar) vjen nga kërkimet për kancerin. Atje prej vitesh punohet për vaksina të personalizuara. Për vaksinat mRNA nuk nevojiten shkaktarë sëmundjesh ose pjesë të tyre, si te vaksinat e zakonshme. Me vaksinën, disa qelizave të pakta të trupit u jepen pjesë të informacionit gjenetik të virusit në formë ARN. Pra, jepet plani i ndërtimit për proteina të veçanta virale. Këto quhen edhe antigjene.