Newsletter për ata që kërkojnë punë – pikat e forta dhe të dobëta
T’i paraqesësh në mënyrë optimale pikat e tua të forta dhe të dobëta
Pyetjen klasike për pikat e forta dhe të dobëta personale e njeh secili. Megjithatë, përgjigjja është për shumë kandidate dhe kandidatë një sfidë e vërtetë, sepse duhet gjetur përzierja e duhur midis modestisë dhe vetëbesimit. Për të gjithë vlen: askush nuk është perfekt! Prandaj tregoni një masë të shëndetshme vetëbesimi dhe pranoni edhe dobësitë tuaja.
«Cilat janë pikat tuaja të forta dhe të dobëta?»
Natyrisht, çdo njeri ka pikat e tij të forta dhe të dobëta. Por atë që te njerëzit e tjerë e njohim dhe e emërtojmë menjëherë – kur shohim në pasqyrën tonë, shpesh është e vështirë të krijojmë një vetëpërfytyrim realist. Prandaj këtu një përgatitje e mirë është shumë e rëndësishme. Nuk bëhet fjalë të numërosh sa më shumë pika të forta dhe t’i paraqesësh dobësitë si pika të forta të mbështjella bukur. Kur numëroni pikat e forta mund të përmendni shumë gjëra, por bashkëbiseduesi juaj në fund të fjalës së fundit nuk do ta kujtojë më të parën. Prandaj mendoni paraprakisht 3 – 4 pika të forta, për të cilat mund të tregoni shembuj nga jeta juaj profesionale.
Për shembull: «Një nga pikat e mia të forta është me siguri kreativiteti. Pikërisht në punën me njerëz me demencë nevojiten ide kreative. Kështu, para Krishtlindjeve, me banorët bëmë me marshmallow zinxhirë me flokë dëbore për dritaret. Nuk ishte problem nëse ato haheshin.»
Jepini pra dëgjuesit një pamje që ta mbajë mend dhe që e mbështet atë që thoni. Kjo duket më e besueshme dhe mbahet më mirë mend.
Askush nuk është perfekt!
Mbizotëron gjithashtu besimi i gabuar dhe shumë i përhapur se për dobësitë është më mirë të përmendësh cilësi që mund të interpretohen në dy mënyra. Por asnjë shef i ardhshëm nuk do të presë nga ju që të jeni njeriu i parë perfekt që takon. Por nga një person i rritur do të pritet që t’i njohë mangësitë e veta dhe të punojë për to. Mendoni pra paraprakisht 2 – 3 dobësi dhe strategjinë tuaj personale për to. Mund të jenë edhe gjëra që më parë ju pengonin më shumë dhe për të cilat në ndërkohë keni arritur të zhvilloni automatizma të mirë.
Për shembull: «Më kanë thënë që nuk shkoj gjithmonë menjëherë te thelbi dhe ndonjëherë e zgjas pak. Tani i kushtoj vëmendje të veçantë kësaj në biseda dhe formuloj më pak të ndërlikuar se më parë.»
Reklamë për veten
Përmendni gjithmonë më shumë pika të forta se dobësi! Në fund të fundit bëhet fjalë për aplikimin tuaj – dhe aty vetëmarketingu është plotësisht legjitim.