Odiseja e maskës higjienike
Që nga mesi i marsit 2020, private Care AG i kryen shërbimet e kujdesit në mënyrë të vazhdueshme me maska higjienike. Plani për pandeminë ishte i njohur që para shpërthimit të Covid-19, por më së voni nga fundi i shkurtit 2020 të gjithëve në sektor u ishte e qartë se do të nevojitej një sasi e madhe materiali higjienik. Drejtoresha Katharina Hadorn reagoi shpejt. Sot ajo thotë: «Sigurimi i materialit ishte atëherë kërkesa e momentit. Në fund të fundit bëhej fjalë për sigurinë e klientëve dhe punonjësve tanë.»
Përdorimi i saktë i maskave higjienike, problematika e përgjithshme e furnizimit dhe mungesa e materialit higjienik i preokupuan në mënyrë të veçantë autoritetet, shtabet e krizës dhe mediat. Që mbajtja e maskave higjienike nga personeli i kujdesit ishte e këshillueshme dhe e detyrueshme, nuk vihej në diskutim.
Veprim i pavarur
Përveç mungesës së furnizimit bazë me material higjienik, edhe shpërndarja e drejtë e mallrave të pakta gjatë pandemisë ishte vazhdimisht temë diskutimi. Spitalet akute natyrisht kishin përparësi, më pas vinin institucionet e kujdesit, si dhe ordinancat mjekësore. Vetëm më vonë u erdhi radha organizatave të kujdesit. Spitex-i, publik dhe privat, u mor parasysh më shumë në fund. Kush kujdesej dhe në çfarë mase për grupet në rrezik ishte objekt i shumë diskutimeve. Përfundimi ynë atëherë ishte se vetëm veprimi i pavarur e çonte përpara sigurimin e materialit.
Rrjet i fortë
Pse të prisnim pra në varësi? Falë veprimit të përbashkët me partnerë të fortë dhe kërkimit intensiv të ofertave të drejta, private Care AG siguroi që herët material higjienik të mjaftueshëm për një veprimtari korrekte gjatë pandemisë. Në grupin e përbashkët të blerjeve, organizatat private ishin shumë të shpejta dhe efikase. Menjëherë pas shpalljes së «situatës së jashtëzakonshme» nga Këshilli Federal, u urdhërua që kujdestaret dhe kujdestarët tanë të punonin me maskë higjienike. «I informuam menjëherë klientet dhe klientët tanë dhe e përshtatëm kujdesin», thekson sot Katharina Hadorn. Rrjetet e forta, përfshirë organizata më të vogla dhe të mesme në shëndetësi, u organizuan mirë dhe kështu mundën t’i respektonin gjithmonë udhëzimet e rrepta.
Një shërbim për përdorim privat
Edhe në fazat e lehtësimit hap pas hapi, të përfshirët diskutuan për përdorimin e arsyeshëm të maskave higjienike në publik. Që në prill, private Care AG u dërgoi klienteve dhe klientëve të saj, sipas dëshirës, maska të mjaftueshme për përdorim vetjak, me kushte shumë tërheqëse. «Këtë shërbim e pranuan me mirënjohje shumë nga klientet dhe klientët tanë», gëzohet Katharina Hadorn.