Drejt te përmbajtja

Vaksinimi kundër gripit tani është i rëndësishëm

Virusi i gripit dhe Sars-CoV-2

Këto ditë dhe javë, në Zvicër fillon stina e ftohtë. Me të rritet edhe probabiliteti i një vale gripi. A duhet të llogarisim tani me dy sëmundje të frymëmarrjes njëkohësisht? I ashtuquajturi koinfektim me virusin Sars-CoV-2 dhe me një virus gripi zgjon frikë, sepse ecuria e sëmundjeve mund të jetë më e rëndë se deri më tani. Gjithashtu, mungesat për shkak sëmundjeje në ndërmarrje mund të shtohen. Dëmi që rrjedh prej kësaj për gjithë ekonominë mund të jetë i konsiderueshëm dhe shkakton shqetësim. Veçanërisht e ekspozuar është shëndetësia, e cila atëherë arrin në kufijtë e saj.

Masat e rrepta mbrojtëse japin efekt

Në hemisferën jugore, këto javë po mbaron dimri. Vëzhgimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se vala e gripit në hemisferën jugore këtë vit ishte më e dobët se në vitet e mëparshme. Kështu, për shembull, në Australi, në një sezon të zakonshëm gripi, rreth 86‘000 persona rezultonin pozitivë për një virus gripi. Këtë dimër ishin vetëm 627 raste. Supozimi është i natyrshëm se masat e rrepta mbrojtëse kundër Covid-19 gjatë muajve të fundit janë përgjegjëse edhe për një ecuri më të butë të gripit. Po ashtu ekziston teza se probabiliteti i një infektimi të njëkohshëm me Sars-CoV-2 dhe me grip është mjaft i ulët.

Kujdesi mbetet i nevojshëm

Tani në Evropë dhe në Zvicër shpresojmë që edhe vala e gripit në dimër të kalojë pa dëme dhe që sistemi ynë shëndetësor të mos rëndohet shtesë. Megjithatë, në Zvicër, si në të gjitha vendet e Evropës, masat mbrojtëse aktualisht janë lehtësuar mjaft. Kjo e bën më të lehtë përhapjen jo vetëm për Sars-CoV-2, por edhe për të gjithë viruset e tjerë. Pra, vala e gripit në kontinentin tonë mund të jetë shumë më e fortë se ç’tregojnë përvojat e para. Sot ende nuk e dimë.

Konfederata nis një fushatë kundër gripit

Konfederata po nis aktualisht një fushatë vaksinimi. Ajo e rekomandon vaksinimin kundër gripit dhe e zgjeron rekomandimin e saj madje edhe për fëmijët nga mosha gjashtë muajsh. Qëllimi kryesor i fushatës është që sistemi ynë shëndetësor të mos rëndohet shtesë nga gripi ose madje të mos arrijë në kufijtë e tij. Sa më shumë njerëz ta parandalojnë transmetimin e gripit përmes vaksinimit, aq më me qëllim dhe më me efikasitet mund të përqendrohet sistemi ynë shëndetësor te Covid-19 dhe të funksionojë normalisht.

Profesionistët mbrojnë veten dhe të tjerët

Punonjësit në shëndetësi që kanë kontakt të rregullt me pacientë dhe të moshuar mund ta pakësojnë përhapjen e mëtejshme të gripit edhe përmes vaksinimit. Efektin e njohim: ashtu si që nga mesi i marsit kemi vepruar me sukses me maska dhe masa higjienike kundër përhapjes së Covid-19, po ashtu ne, si specialistë të kujdesit dhe të punëve të shtëpisë, mund ta parandalojmë tani gripin dhe kështu ta lehtësojmë shëndetësinë e rënduar. Kundër gripit kemi madje një masë më shumë në dispozicion: vaksinimin.

Rekomandim urgjent

Drejtoria u rekomandon të gjithë punonjësve të private Care AG të vaksinohen kundër gripit. Kështu mbrojmë klientet dhe klientët tanë dhe veten tonë. Prandaj private Care AG i mbulon kostot e vaksinimit:

Vaksinim falas: si të vaksinohem falas kundër gripit.

Dëshironi të merrni më shumë informacion për kujdesin privat?

Abonohuni tani në buletinin informativ.

Jini gjithmonë të informuar për zhvillimet në kujdesin privat.

Keni pyetje? Na kontaktoni.

+41 56 544 72 72
info@private-care.ch

Referim nga institucioni